Wednesday, July 15, 2009

POEZI



Perëndi e pafajshme


Makth

Mbrëmje mes ëndrrash, turbull
vjen shpirtin ma mundon,
terr llahtar që s'zhduket
as kur ylli i mëngjesit afron.
Mbyll sytë lodhur, venitur,
prehje të gjej vetëm pak,
trupi s'pranon të përgjumet
rrënqethet nga ëndrrat me gjak.
Me dëshpërim luftoj hijen
fytyrën me thonj dua t'ia gris
por jo, s'shpëtokam dot,
ëndrra nga e para nis.


Etje

Kam mëri me jetën
urrej gjithçka që më bën të vuaj,
kërkoj pakëz prehje
dua, marrëzisht kërkoj vuajtjen
frymoj pa ngopje,
Zot!!!
Më jep dhe një kupë
le të dehem edhe sot me vuajtje.


Jam dhe s'jam me ty

Jam dhe s'jam me ty...
Prit, mbahu gjallë!
Shpreso, hidhe para vështrimin!
Dëgjo, timbra të rinj nga largkund!
Të ndjesh, aromën dehëse të verës së vjetër!
Jam dhe s'jam me ty;
Lotët, mund t'i fshehësh!
Mendime...
Më kot ngatërrohesh!


Kur të mendosh...

Kur të mendosh për mua
shiko lart në qiell,
është një yll që bie
digjet brenda thellë.

Kur të mendosh për mua
në një natë të ftohtë
s'do jem aty te ti,
por diku tjetër
ngrohtë e ftohtë.


Lozonjarja

Rrëshqet porsi ngjalë,
rrotullohesh s'di se si,
del e zhdukesh prapë
fshihesh, në hiç ti.
Vjen e më pickon
si bleta që s'jep mjaltë
ulesh, fluturon...
e zhytesh thellë në baltë.


Natën e mirë!

Para se të mbyll sytë,
të them: Natën e mirë!
Nuk mund të më dëgjosh,
megjithatë, unë kam dëshirë!..


Soditësi i ëndrrave

Frymën teksa ti fle
ta ndjej...
Mbështetur kryet
ke në supin tim.

Fytyrë që në gjumë flet
qesh e trishtohet
Papritur nis përpëlitesh,
hap sytë rrëqethur.

Fli dhe zgjohu në ëndrrën tënde,
nuk ke pse të trembesh,
jam unë, s'po më njeh!?
Soditësi i ëndrrave të përhumbura.


Perëndi e pafajshme

Poshtë rreve
mendueshëm
i thosha vetes:
Atje sipër, është Zoti!

Sipër, më lart se rretë u ngjita
dhe prapë pyeta vetveten:
Vallë ku humbi Zoti?
Sigurisht, ka ndërruar banesë!

Retë paskan qenë më t'frikshme
se oqean i tërë, shtullungash mistike,
aureolë e bardhë e përjetësisë
njerëzit miza duken, s'ka faj Zoti që s' i sheh...


S'mund të zhdukesh

Je ende pranë,
shumë afër meje,
anash,
lart,
poshtë,
nuk e di.
Por s'mund të zhdukesh
kur je në zemër
këtë e ndjej
kam siguri.


Zhytje në terr

Në celuloid ta ngurtësoja dashurinë
jo nuk munda, s'qe e thënë;
t'i pajtoja Djallin dhe Zotin,
dielli me hënën të takoheshin,

Dashnorë të thekur s'shihen kurrë,
sa shumë shkëlqim që japin,
por në errësirë largohen,
zhyten-humbin, thellë në terr.


Kujtesa e qytetit tim

Jetoja mes njerëzve
që dhe sot frymojnë
në ato rrugë,
në atë qytet.
Kalldrëmeve të ftohta
mbuluar nga bora
dridhen kujtimet e mbetura
fantazma
që enden
mes të gjallësh..


Ferr-Parajsa

Ferrin jetove me mua
Parajsën jetova me ty,
ndoshta të dyja ishin mes nesh
dhe askund nuk merrnim pjesë.
S'e kuptoj çfarë kemi bërë
në të mirë e në të keq,
di vetëm se shumë u deshëm,
u deshëm shumë për dreq!

SHENIM: Ky ciklël poetik u botua në janar 2006, në faqet letrare të gazetës "Tirana Observer"


No comments: