Wednesday, June 17, 2009

Petrika Grosi dhe kultura shqiptare




Përgatitur nga
Alfred Papuçiu


N
ë rast se kalon çdo mëngjez në rrugën „Don Bosko“, ndërtesa e Vizion Plus“, do të shohësh një djalosh simpatik, me cigare në buzë, që përshëndet kalimtarët, edhe pse nuk i njeh. Një ritual që i ka mbetur qysh nga qyteti i tij i lindjes, Korça, të cilin ai nuk e harron kurrë. Ai ndalet në kafenenë pranë, pi shpejt e shpejt një ekspress, përshëndetet me kamarierin dhe ngjitet tek zyra e tij tek gazeta „Albania“.


Ndoshta jeta e qetë dhe temperamenti i tij gazmor i japin një fizionomi prej djaloshi 20 vjeçar.  Thotë se ka qenë i urtë kur ka qenë i vogël, dhe tani vazhdon të jetë i tillë, por nuk i duron padrejtësitë, meskinitetet dhe nganjëherë reagon. Por shpejt i ulen nervat…

Megjithëse është në moshë të re, përvoja e tij e punës është e larmishme: Aktualisht është redaktor dhe shef i kulturës te gazeta “Albania”, themelues i suplementit të përjavshëm informativ e kulturor “Albania Weekend”, ku profilizohen në detaje nëpërmjet intervistimit profesional figurat më të shquara të artit dhe kulturës shqiptare.
Ka qenë asistent regjisor i spektaklit televiziv në Vizion Plus “Anija e artistëve” – (reality show) . nga qershori 2006 deri në mars 2007 ka punuar si gazetar i posaçëm te Gazeta “Shekulli”, ndër themeluesit e rubrikës “Shekulli Kontakt”. Një mori rubrikash, risi në komunikimin gazetaresk shqiptar, të cilat u eksperimentuan me sukses dhe sollën një kontakt më të afërt me lexuesin duke i qëndruar më pranë dëshirave, nevojave, interesave të tregut. Për tre vite rresht ka qënë zëdhënës shtypi i performancave të kostumit dhe sfilatave të ndryshme të modës të stilistes Merita Toçila : Sfilata “Retro `50”; Performanca “Eva” prill 2008; Performanca “Nënë Tereza” tetor 2008; Performanca “Itaka Grua” maj 2008 .
Petrika Grosi vazhdon të jetë edhe bashkëpunëtor i revistës “Albanica Ekskluziva”, me botim në Shqipëri, Zvicër, Kosovë e Maqedoni ; më 2005 ka qënë zëdhënës shtypi i konkursit të bukurisë me zhvillim Greqi e Shqipëri “Miss & Mister Abanian Student” ; më 2006 ka qënë zëdhënës shtypi i konkursit të bukurisë “Miss Tirana”; nga janari 2006 deri në maj 2006 ka punuar si redaktor në revistën shkencore, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ; nga Qershor ‘05 – Korrik ‘06 - Zëdhënës shtypi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; më përpara nga tetori 2004 deri në janar 2006 ka punuar si redaktor (kulture & rrethe) te gazeta "Ballkan"; maj 2003 deri në shtator 2004 si redaktor (kulture) te "Gazeta Shqiptare" ; tetor 2002-maj 2003 ka qënë gazetar – redaktor kulture/sociale / përgjegjës i suplementit i suplementit) te gazeta “Republika" ; Qershor 2002 - Tetor 2002 - Gazetar (sociale) te gazeta "Shekulli" .
Përvoja e tij e madhe gazetareske dhe pjesëmarrja e tij në workshope dhe trajnime të ndryshme gjatë 6 viteve të fundit me profesorë të huaj e vendas, mbi të qenurit profesional në gazetari kryesisht në rubrikat kulturore e sociale dhe gazetari investigative ka sjellë si rezultat një pjekuri të dukëshme në shkrimet e tij. Ka marrë pjesë edhe në kurse të shumta, mes të cilave më i fundit zhvilluar në Sofje (Bullgari) në Qendrën për Zhvillimin e Medias mbi GAZETARINE INVESTIGATIVE, me profesorin e njohur të “Dojçe Welle-s”, Peter Heller. (Tetor 2005)

Petrika ka botuar:

1- Vëllimi poetik “Konflikt Ndjenjash". (2003)
2- Cikli poetik “Perëndi e pafajshme” në dy gjuhë (shqip dhe frëngjisht) në antologjinë poetike “Shpirti i fjalës”, e cila u botua nga selektuesi Baki Ymeri në Bukuresht (Rumani). Mes poetëve të tjerë të njohur shqiptarë nga diaspora, i vetmi poet që përfaqësonte Tiranën dhe Shqipërinë, së bashku me Natasha Lakon. (Janar 2009)
Kur e pyet lidhur me realizimin e një vëllimi të ri, ai të përgjigjet se pret akoma që të „piqen“ më mirë tregimet dhe poezitë e tij. Me modesti ai thotë se ato megjithatë janë pëlqyer nga lexuesi.
3- Gjatë 5-6 viteve të fundit ka realizuar këto botime: poezi, esse, novela, komente, persiatje e kritika në media të ndryshme të shkruara si: Gazeta e Lidhjes së Shkrimtarëve “Drita”, revista “Kult”, gazeta “Weekend”, gazeta “Republika”, gazeta “Temp”, gazeta “Fjala”, suplementi “Milosao”, revista “Trendy”, gazeta “Tirana Observer”, gazeta “Telegraf”, etj.
4- Recensa për letrarë të ndryshëm shqiptarë si: Ismail Kadare, Sadik Bejko, Xhevahir Spahiu, Moikom Zeqo, Visar Zhiti, Faslli Haliti, Ali Podrimja, Vath Koreshi, Diana Çuli, Mimoza Ahmeti, Arian Leka, Dionis Bubani, Fatos Kongoli, Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, Rexhep Ferri, Mehmet Kraja, etj.
5- Ka botuar shkrime dhe komente të natyrës kritike, për Teatrin e Operas dhe Baletit, si dhe për Teatrin Kombëtar, mbi shfaqje apo aktorë të veçantë të tyre, si dhe mbi problematikën lidhur me to. Ka shkruar mbi probleme të artit figurativ, turizmit, Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, politikave dhe strategjive të saj, skandalet etj. Ka shkruar gjithashtu komente mbi Galerinë Kombëtare të Arteve, Muzeun Historik Kombëtar, Akademinë e Shkencave, Albanologjinë, Akademinë e Arteve të Bukura etj, si dhe mbi institucione të tjera homologe apo vartëse e këtyre ndër rrethe, për institucionet homologe private, festivalet e dramës, këngës dhe të filmit e teatrit, aktorët, piktorët, këngëtarët, prezantuesit, kompozitorët dhe regjisorët shqiptarë, apo ata të huaj që kanë pasur veprimtari, ndikim dhe bashkëpunim me Shqipërinë.
6- Ka realizuar reportazhe të ndryshme mbi traditat shqiptare, vendet e harruara, zakonet e trevat nga Veriu deri në Jug të Shqipërisë, gjithashtu, ka investiguar fenomene të ndryshme, e mjaft tema të tjera të prekshme sociale, të cilat pasi janë botuar si shkrime speciale kanë pasur efekt reagimi të gjerë, të shpejtë dhe të ndjeshëm nga shoqëria, opinioni, institucionet publike dhe mediat.
7. Gjatë këtyre viteve ka hapur debate të ndryshme me përmasa të mëdha mediatike mbi problemet e kinematografisë, muzikës, kritikës, letërsisë, arsimit e shkencës, ligjit dhe drejtësisë, shëndetit, probleme etnike dhe diskriminimit, emigracionit etj.
8. Petrika Grosi është angazuar në emisione të ndryshme televizive shqiptare duke diskutuar e debatuar mbi problemet social-kulturore-politike dhe kam mbështetur çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e dhunuara civile e ligjore, protestat qytetare dhe iniciativa të ndryshme me karakter qyetar për ndërgjegjësimit e njerëzve mbi të drejtat ligjore, mbrojtjen e mjedisit etj.
Zotëron anglishten dhe italishten që e ndihmojnë për të komunikuar me kolegët e huaj, si dhe për të ndjekur aktualitetin kulturor në vendet europiane apo të botës. Gjithashtu ato e kanë ndihmuar në specializime jashtë shkollore, trainime të ndryshme me specialistë vendas e ndërkombëtarë të gazetarisë të shkruar e televizive.
Si hobe muzikën, librat dhe filmat. I pëlqen Adriano Celentano, muzika rok; si aktorë ka simpati për Roberto de Niron dhe të birin, Xhejms Belushin. I kanë pëlqyer sidomos filmat „Aviatori“, Matrix, Desperato; nga shkrimtarët i pëlqen të lexojë veprat e Dante Aligherit, Homerit, Balzakut, Mopasanit, Ismail Kadaresë, Bodlerit, Remarkut, Gogolit, Simon de Bovuar etj.
SHENIM: Ky artikull u botua ditën e enjte (16-07-2009, 09:00pm) në enciklopedinë virtuale të websitit www.zemrashqiptare.net